Poezi nga Muharrem Muslika

 

BRENDA NË KRAHAROR

 

Ule kokën-një zë më pat këshilluar
Ule edhe një grimë-më pat këshilluar prapë
Kokën e përkula-medet sytë c’më panë
Iriq a s’di ç’kishte hyrë
Plot gjemba, i pështirë
Brenda në kraharorin tim
Brinjëve të mia ua ngula thonjtë
Ç’krupë që ndjeva,ç’dhimbje
E shkula që andej me copa mushkërie
Tani jam shëruar…Dhe e kam vetinë
Iriqin ta dalloj edhe tek të tjerë
Vërsulem ta shkul nga i sëmuri I mjerë
Ai tjetri ngre duart-në mbrojtje i shkreti
Sa keq më vjen për çdo njeri
Që s’sheh ç’ka brenda kraharori i tij

JETA

Në portën e banesës së saj të pamatë
Gjithnjë sikur thotë
Merrni pjesë
Të gjithë me radhë tek unë merrni pjesë
Të shtrembërat midis jush
Drejtojini vetë
Kam vend për të gjithë
Merrni pjesë…merrni pjesë…!

KU-KU

Disa fije floku nisën të më zbardhen
Shikim vajzëror në mua më nuk ngulet
Ku-Ku
Tek ai lis i motshëm në një degë të thatë
Jo zogjtë që cicërojnë po qyqja shkon e ulet
Ku-Ku

SHQISA E GJASHTË

E kam atë shqisë që më bën të ndjej
Nëse niset dicka e përbindshme
Në kraharorin tim
E kam aftësinë ta vdes
sapo nis të lindë
Ndryshe dikur vonë
Me vetveten do t’më duhej
Të bëj dyluftim

DORËN NË QIELL

Ku mbretëron heshtja e thellë
Majë bjeshke,pa njeri
Dorën në qiell,lyp me shpresë
Një të vërtetë,një mrekulli
Kam bërtitur:Zot…O Zot
Dil një çast të lutem shumë
Shfaqe fytyrën ashtu kot
Të të besoj një herë dhe unë

PËRCARTJE APO NGJESHJE KOHE

Unë jam një
Dhe me sy hapur
E kujt është ajo shqisë
Që më bën të shoh
Thinja në kokën e foshnjës?!
Të shoh varg dasmorët
Që po e çojnë
Nusen… te varri
Të shoh shkronjën V
Në krye të cdo fjale
mashë në duar prej mermeri
Në atë mashë
rri i varur globi
në të dyja polet
Ju po qeshni!
Ju që qeshni
Vërtet sa varre jeni
…Më falni-sa veta?!
 

SOT NË MËNGJEZ

Sot në mëngjez
po shihja në ëndërr
tek po ndahesha me të dashurën
s’donim të ndaheshim
mezi po shkëputeshim
duart kishin mbetur lidhur
tek majat e gishtërinjëve
vështrimet tona rreze admirimi
të kthjellta,plot freski rinore
nga flokët te buzët,nga buzët te sytë
sikur donim të fiksonim
për të mos harruar
asnjë tipar të fytyrës së njëri-tjetrit
për ca ditë që s’do të ishim bashkë
Sytë,të pastër,të ciltër
Mbushur lot e dashuri
…U zgjova duke mos ditur në c’kohë jetoja
pashë në dhomën tjetër tej korridorit
të dashurën time…plakën
që në shtrat akoma po flinte

EJA TI MUZË

Eja lirshëm ti muzë e ti frymëzim
Unë nuk përtoj ti shkruaj fjalët
Është shkrimi që i jep mundësi njeriut
Edhe i vdekur të flasë me të gjallët

PA MUA

Desha të këndoj për lulen
Mu kujtua kosa në dorën e kostarit
Nuk e nisa këngën
Nisa të këndoj për zogun
Më shkuan ndërmend kthetrat e skifterit
E ndërpreva këngën
Desha të këndoj për qingjin
Mu kujtua thika në dorën e kasapit
E urrejta veten
Vështrova rreth e rrotull
Ngado pashë zogj,qingja e lule
Jeta mbi dhe këndonte,edhe pa mua

KOSOVË

Thonë se tokën me kosa e shtrove
Për tu prerë këmbët kuajve pushtues
Ndaj ky emër të mbeti
Kosovë
Ndoshta që atëherë kosat i ke ruajtur
Në strehët e kullave
Të cakatura,te rëna në grihë
Të lashta e të mprehta si grenza
Erërat fryjnë
Ato tringëllijnë
Duke brejtur kunjat që i mbajnë varur
Duke bërë që ty të të hanë duart
Në kreun e livadheve të rrëmihura
Fort të ka marrë malli
Për fishkëllimën e tehut të tyre
Kosovë

TORTURA QË S’DUROHEJ

Çdo ditë në këtë kohë e kishin torturuar
ndërsa sot ata nuk po vinin
Ç’kishin ndërmend të bënin vallë ?
Kur ndër tortura i erreshin sytë
Diku brenda vetes i ndizej një dritë
Kishte mbetur gjallë !
Ndërsa sot ata nuk po vinin
Iu duk se dhimbjet po i pushonin
Iu duk se plagët po i shëroheshin
Ndoshta nuk po dinin tjetër c’të përdornin
Ndoshta nganjëherë edhe katilët lodhen
Ndoshta do ta vrisnin, ndoshta kushedi do ta lironin
Te dritarja shushuritja e gjetheve
Pak më larg te sheshi të folurat e njerzve
Jeta,sa e donte jetën!
Te dera një zhurmë,një urdhër
Më parë se të lirohet,të nxirret në shesh lakuriq
…më parë të provonte këtë torturë të fundit
Iu errën sytë
Drita më s’po ndizej
…Vdiq

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>